ORKESTRA SIMFONIKE E RADIO TELEVIZIONIT SHQIPTAR
Orkestra Simfonike e RTSH-së u themelua më 16 maj të vitit 1962 si formacioni orkestral më i madh i kohës. Orkestrantët ishin kryesisht muzikantë të rinj, që studiuan në vend, si dhe nga profesionistë të specializuar jashtë vendit në Pragë, Moskë, Laipcig dhe në disa vende të ndryshme të Europës. Fillimisht u quajt “Orkestra Simfonike e Radios dhe Kinematografisë” dhe me pas “Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar”.Qëllimi i krijimit të këtij formacioni fillimisht në Radio-Tirana e më pas brënda institucionit të RTSH-së ishte që të siguronte dhe mbulonte me orë transmetimet muzikore, mundësimin e realizimit të shumë aktiviteteve artistike që ideonte dhe realizonte ky institucion. Krijimi i orkestrës shënoi një etapë të re në zhvillimin kulturor dhe artistik të vendit. Themeluesi i kësaj orkestre ishte Abdulla Grimci, koncerti i parë u realizua më 20 gusht 1962 nën dirigjimin e Mustafa Krantjes dhe u luajtën vepra nga Haydn, Mozart dhe Mendelssohn koncert për violinë në mi minor, koha e parë ekzekutuar nga 17-vjeçari Ibrahim Madhi. Krijimi i këtij formacioni të madh muzikor solli një ndikim të jashtëzakonshëm, të ndjeshëm dhe të menjëhershëm në zhvillimin muzikor në të gjithë vendin duke sjellë hapa në zhvillimin e përgjithshëm kulturor. Nga vitit 1964 e deri në vitet 2000, dirigjenti emblem i kësaj orkestre ishte i madhi Ferdinand Deda, i cili nuk ishte vetëm dirigjent por edhe kompozitor, orkestrues, instrumentist, një artistë me energji dhe kontribut të jashtëzakonshëm në Orkestrën Simfonike. Një rol të rëndësishëm në aktivitetin artistik dhe zhvillimor të kësaj orkestre nga vitet 1978 e deri në vitet 1990, ka luajtur edhe dirigjenti i mirënjohur Eno Koço si drejtues i shumë koncerteve simfonike, vokale, regjistrime të muzikës së filmave, koncerteve jashtë vendit etj. Edhe pse u largua jashtë vendit pas viteve 90-të, Eno Koço nuk shkëputi asnjëher lidhjet me Orkestrën Simfonike të RTSH-së.Pas vitit 1992 kur vendi hyri në fazën e tranzicionit dhe ndryshimeve të mëdha social-kulturore e në vazhdim Orkestra Simfonike drejtohet nga dirigjenti mirënjohur Jetmir Barbullushi.
Repertori ndërkombëtar klasik, romantik a bashkëkohor zë sot vendin më të rëndësishëm në veprimtarinë koncertore të Orkestrës. Nivelin e Orkestrës e ka ngritur nga viti në vit jo vetëm ekzekutimi i shumtë e i larmishëm i këtij repertori nga instrumentistë virtuoz shqiptar dhe të huaj por edhe eksperienca dhe mjeshtëria e dirigjentëve të mirënjohur nga bota të cilët shpalosin vizionin e tyre mbi stilet ekzekutuese, duke sugjeruar kërkesa konkrete për një bashkëtingëllim sa më kompakt, harmonioz e bashkëkohor të orkestrës. Emra të tillë si Hikmet Şimşek, Doron Solomon, Massimo Bernard, Leonid Nikollajev, Le FiFi e shumë të tjerë, kanë lënë ndikim të ndjeshëm në aftësitë ekzekutuese të Orkestrës dhe kanë bërë që kjo të ngrejë nivelin e saj ekzekutues e të njësohet në standard me shumë nga orkestrat simotra të Europës.
Orkestra Simfonike e Radio-Televizionit njëkohësisht ka treguar nivelin e saj te lartë dhe në koncertet e dhëna jashtë vendit ku është përballur me publik të huaj të cilët e kanë duartrokitur gjatë, si në Turqi, Itali, Greqi, në konkurrimin Evropian të orkestrave simfonike organizuar në Mal të zi (Podgorice) pa përfshirë këtu dhe koncertet e dhëna në Prishtinë e më gjërë Kosovës, apo në Ohër të Maqedonisë, ku veçanërisht kritika muzikore e ka vlerësuar lart nivelin interpretativ të saj.Formacione të ndryshme si ansamble harqesh apo fryme të organizuara brenda formacionit të madh të orkestrës kanë dhënë koncertet e tyre në të gjithë Evropën ndërsa solistë të veçantë të saj kanë marrë pjesë në takime e konkurse ndërkombëtare dhe kanë dhëne koncerte si soliste duke fituar shumë trofe. Aktiviteti artistik i këtij formacioni vihet re në qindra e mijra orë transmetimi në radio e TV e kthyer në shirit e CD, në kolona zanore filmash e në sa e sa aktivitete artistike që zhvilluan jetën muzikore në vend të cilat orkestra i realizon me shumë sukses edhe sot si, Stinën Koncertore me vepra instrumentale dhe simfonike, Festivalet e Këngës në RTSH, koncerte recitale me artistë të ndryshëm, aktivitete kombëtare artistike, koncertet e përjavëshme që transmetohen nga RTSH në çdo kohë. Në fondin e regjistrimeve të kësaj orkestre nga data e themelimit të saj bëjnë pjesë si regjistrime me shumë vlerë vepra të mëdha të kompozitorëve kolosë Bach, Mozart, Bethoven, Brams, Mendelson, Çajkovski, Grig dhe sigurisht të shumë kompozitorëve shqiptar.
Orkestra Simfonike e Radiotelevizionit Shqiptar konsiderohet sot si një portret aktual i një vlere kombëtare e mbarë kombëtare për vlerat e saj të bazuar në vulletin e mirë të dhjetëra e dhjetëra orkestrantëve shumë prej të cilëve mungojnë e disa aktivë dhe sot që nga themelimi i saj dhe shumë e shumë artistë të tjerë që sjellin frymën e re për energjitë dhe moshën e re të tyre. Është detyrim për këdo që ky formacion të ketë një vëmëndje e përkujdesje jo vetëm për të ruajtur ato arritje që me përpjekje janë konsoliduar deri më sot por për të çuar atë akoma më përpara, të qenit më përfaqësuese jo vetëm për RTSH si pjesë përbërëse me vlerë e të cilit është por për ndihmesën në zhvillimin kulturor muzikor kombëtar.
Është nderuar me çmimet “Naim Frashëri Artë” në vitin 2007, “Çmimin e karrierës” në vitin 2009, si edhe “Nder i Kombit” në vitin 2017.