Dirigjent në skenat botërore, Aurélien Azan Zielinski merr drejtimin e Orkestrës së RTSH

  • 09/09/2022
Dirigjent në skenat botërore, Aurélien Azan Zielinski merr drejtimin e Orkestrës së RTSH

Dirigjenti i mirënjohur Aurélien Azan Zielinski ka marrë drejtimin e Orkestrës Simfonike të Radio Televizionit Shqiptar.

Zgjedhja e zotit Zielinski është një risi, pasi bëhet drejtuesi i parë artistik i huaj që drejton Orkestrën Simfonike të Radio Televizionit Shqiptar.

Konkursi për zgjedhjen e drejtuesit të ri të Orkestrës Simfonike u shoqërua me një interesim të madh pjesëmarrësish si nga brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Zoti Zielinski ka qenë drejtuesi i disa orkestrave të njohura të huaja, fakt ky që garanton se ardhja në krye të Orkestrës Simfonike të RTSH-së do të sjellë aktivitete të reja dhe të rëndësishme artistike.

Jam shumë i nderuar që orkestra më ka zgjedhur mua si drejtor artistik, i pari nga një vend i huaj. Është një përgjegjësi dhe një krenari e madhe për mua. Jam shumë i lumtur që do të mundem të sjell energjinë time për të promovuar muzikën klasike në Shqipëri dhe muzikën shqiptare në mbarë botën. Do të jem i prirur për të forcuar këtë Orkestër Simfonike në misionin e saj, së pari duke i dhënë një rëndësi të madhe repertorit të madh si dhe duke ftuar solistë të mëdhenj shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Së dyti, do të doja të ndërtojmë një program ambicioz edukimi artistik për të rinjtë në kanalet tona dhe më në fund orkestra do të bëhet një vektor i vërtetë i kulturës, duke nisur një festival veror me koncerte për të gjithë në të gjithë vendin.”-, tha zoti Zielinski gjatë prezantimit si Drejtori i Orkestrës Simfonike të Radio Televizionit Shqiptar.

Karriera e Aurélien Azan Zielinski

Karriera e Zielinskit ka njohur rritje që nga viti 2012 kur u shpall fitues i konkursit Adami "Talent Conductor” për të vijuar me ftesa të rëndësishme, si dirigjent i ftuar i «BBC National Orchestra of Wales», « Orchestre National d'Ile-de-France", « Orchestre National de France", "Orchestre de Chambre de Paris", "Orchestre National de Lorraine", « Orchestre National de Bordeaux Aquitaine", l’Orchestre des Pays de Savoie", « l'Orchestre de Cannes PACA", « l'Orchestre de Normandie ", "l'Orchestre Symphonique de Nancy", "l'Orchestre de Chambre de Lausanne", « l’Orchestre de Chambre du Luxembourg" për projekte simfonike, lirike, koreografike dhe edukative.

Zielinski iu përkushtua muzikës në moshë fare të re në fusha të ndryshme si piano, violinë, harmoni, analizë, orkestrim, dhe dirigjim. Në moshën 23-vjeçare Zielinski mori çmimin e dirigjimit nga Konservatori superior i Parisit.

Duke nisur nga viti 2006 Zielinski ka qenë një kuartet i njohur me Kuartetin Bedrich. Ai studioi repertorin kryesor me Janos Fürst dhe Jorma Panula dhe përsosi aftësitë e tij në repertorin bashkëkohor me Zolt Nagy, David Robertson dhe Pascal Rophé.

Më pas në vitin 2007 Aurélien Azan Zielinski fitoi çmimin në audicionin “dirigjenti i ri” në Orkestrën Lamoureux dhe në vitin 2010 ishte finalist në konkursin e “ndihmës dirigjent” në Orkestrën Kombëtare të Montpellier. Ndërsa në vitin 2012 Zielinski triumfoi në konkursin Adami "Talent Conductor” ku edhe u shpall fitues, moment ky kyç për karrierën e Zielinskit, i cili që nga viti 2015 është dirigjent i asociuar i Orchestre Symphonique de Bretagne(France) dhe që nga viti 2009 profesor i dirigjimit në Haute-Ecole de Musique de Lausanne (Switzerland).

Në vitin 2021, u publikuan tre regjistrime në të cilat ai mori pjesë, sikurse ishin Symphonic Tales nga Samy Thiebault (Gaya Music Productions) dhe dy monografi, njëra kushtuar Clara Ianotta (Kairos) dhe tjetra Olivier Calmel (Klarthe Records).