Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar do të jetë me shtëpi të re, tërësisht moderne.
Këtë të enjte (4 prill) u bë dhe përurimi i saj, me rikonceptimin, e bërë me imtësi në çdo detaj.
Që në hyrje, rrugëudhëfyese janë një mori fotografish të personazheve që i kanë dhënë identitet Orkestrës dhe Radio Televizionit, pasazhe të cilat, tërhoqën dhe vëmendjen e Presidentit, Bajram Begaj që ishte i ftuari i nderit në këtë ceremoni.
“Ndryshimet gjithmonë janë për mirë. Besoj se do vazhdojmë të bëjmë punë të mira edhe në të ardhmen”, tha Begaj.
Shtëpia e re e Orkestrës, është dinjitoze edhe për trupën e saj, të cilët shprehen se tashmë ndihen të vlerësuar dhe nderuar që do të kenë një ambient, ku do të ushtrojnë provat e do japin koncerte për të gjithë artdashësit.
Salla e Orkestrës, është guri i diamantit i një sërë ndryshimesh që po ndodhin në ambientet e Radio Televizionit Shqiptar.
Tashmë Orkestra Simfonike e Radio Televizionit do të shtojë shërbimet që ofron, jo vetëm për pasurimin e fonotekës së televizionit, por edhe për koncerte të regjistruara për të gjithë publikun.
Gazetar: Marjo Merhori
/rtsh.al/