U dirigjua nga Doron Salomon, Orkestra Simfonike e RTSH solli në skenë kryeveprat botërore të Çajkovskit dhe Prokofiev

  • e mërkurë, 14 qershor 2023
U dirigjua nga Doron Salomon, Orkestra Simfonike e RTSH solli në skenë kryeveprat botërore të Çajkovskit dhe Prokofiev

Çajkovski dhe Prokofievi nën interpretimin e Orkestrës Simfonike të Radio Televizioni Shqiptar dhe dirigjimin e Doron Salomon, kanë dhuruar emocione të rralla në koncertin e mbajtur ditën e djeshme (13 qershor) në sallën e Qendrës Kulturore të Katedrales Ortodokse.

Dirigjenti nga Tel Aviv, i Operas së Izraelit, të Filarmonisë së Izraelit me një karrierë të shkëlqyer ndërkombëtare, Doron Salomon drejtoi për herë të dytë Orkestrën Simfonike në RTSH-së, ndërsa pjesëmarrëse në këtë koncert, ishte edhe violinistja franko-rumune Deborah Nemtanu.

Në koncertin e mbajtur një ditë më parë u interpretua Koncerti për violinë dhe Orkestër Nr. 2 Opus 63 në sol minor të  Sergei Prokofiev dhe Simfonia numër 5, Opus 64 në Mi Minor të Piotr Ilic Çajkovskit.

Para koncertit, dirigjenti i mirënjohur Salomon, për mikrofonin e RTSH-së,  vlerësoi profesionalizmin dhe disiplinën e Orkestrës Simfonike të RTSH-së.

“Nivel shumë i mirë i Orkestrës, edhe Çajkovski është shumë i njohur, Prokofiev më pak i njohur dhe shumë i vështirë. E dua shume Tiranën se është liberale, interesante, ekzotike, njerëzit janë të hapur me humor. Ka disiplinë në punë, por jo shumë, jo disiplinë shtrënguese. Është mesdhetare si Tel Avivi dhe kjo më pëlqen. Edhe orkestrantët flasin të gjithë anglisht”, u shpreh Salomon.

Sa i përket përzgjedhjes së veprave, Salomon tha se Çajkoski dhe Prokofievi kanë të njëjtën vlerë muzikore si autorë dhe veprat e tyre kanë një frymëzim më perëndimor se bashkëkohësit teksa mishërojnë elemente ndërkombëtare të gërshetuara me meloditë popullore kombëtare.

/rtsh.al/