Me një program të larmishëm, Orkestra simfonike e RTSH-së mbajti koncertin e fundit për këtë vit në sallën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Nën drejtimin e dirigjentit Gridi Kraja, u interpretuan veprat të kompozitorëve me famë botërore, si Bethoven, Vivaldi dhe Dvorak.
"Në tërësi, performanca ishte aty ku synonim. unë drejtoj për herë të parë te kjo sallë dhe ndihesh prestigjioz kur drejton këtu," u shpreh z. Kraja.
Publiku mirëpriti edhe performancën e flautistes se njohur, Jonela Golemi, e cila luajti si soliste koncertin në sol minor për flaut dhe orkestër harqesh të Vivaldit.
"E kisha ëndërr, në fakt, për ta luajtur. Jam shumë e lumtur që u dha mundësia për të performuar Vivaldin, një nga kompozitorët e mi të preferuar. Gjithmonë pas koncerteve gjithë ai stresi që akumulojmë gjatë studimit kthehet në një kënaqësi të tejskajshme," tha znj. Golemi.
Me atmosferën magjike të këtij koncerti, orkestra e RTSH-së i lë takim publikut vitin e ardhshëm me të tjera performanca nga kompozitorë të huaj dhe shqiptarë.
Gazetare: Albana Agolli
/rtsh.al/