Orkestra simfonike e RTSH-së sjell klasikët francezë për publikun shkodran. Korça, ndalesa e radhës 

  • e mërkurë, 21 qershor 2023
Orkestra simfonike e RTSH-së sjell klasikët francezë për publikun shkodran. Korça, ndalesa e radhës 

Mbrëmjen e së martës Teatri “Migjeni” mirëpriti një koncert të veçantë, teksa Orkestra Simfonike e RTSH-së performoi disa prej pjesëve më të njohura nga muzika klasike franceze, duke i dhuruar publikut emocione të ngrohta. 

Pas koncertit, protagonistët e kësaj mbrëmje, Aurélien Azan Zielinskinë rolin e drejtorit artistik dhe dirigjentit të Orkestrës Simfonike të RTSH-së si dhe instrumentistja Anna Gockel, vlerësuan bashkëpunimin mes dy vendeve Shqipërisë dhe Francës.

Ishte një koncert shumë i mirë për ne dhe publiku na përkrahu. Dua të them se kjo skenë na pëlqeu shumë edhe për faktin se tingulli dhe akustika ishin në nivelet e duhura dhe për ne ishte shumë kënaqësi të performonim këtu. 

Sa i përket faktit që këtu po festohet Java Kulturore Franceze është diçka e bukur sepse i shërben bashkëpunimit mes dy vendeve”, është shprehur Aurélien Azan Zielinski. 

“Kaluam një kohë të bukur në një mjedis të ngrohtë sepse na krijoi ndjesinë e afërsisë me publikun e pranishëm këtu. Ai meriton vlerësimin maksimal sepse na hoqi të gjithë ngarkesën emocionale që kemi patur gjatë këtyre ditëve në prova para koncertit. Na pëlqen fakti që ne kemi mundësi të prezantojmë kulturën franceze në një vend të mrekullueshëm si Shqipëria”, theksoi Anna Gockel. 

Koncerti i zhvilluar në teatrin “Migjeni” “Festa e Muzikës" ishte pjesë aktiviteteve që vendi ynë po mban në kuadër të Javës Kulturore Franceze. 
Pas Shkodrës ndalesa e radhës e Orkestrës Simfonike të RTSH-së do të jetë Korça.

/rtsh.al/