Orkestra Simfonike e RTSH koncert madhështor, Oleg Arapi dhe Georgi Anishenko dhurojnë emocione

  • e hënë, 16 janar 2023
Orkestra Simfonike e RTSH koncert madhështor, Oleg Arapi dhe Georgi Anishenko dhurojnë emocione

Orkestra Simfonike e RTSH ka çelur mbrëmjen e së dielës (15 janar) sezonin koncertor me një program special dhe virtuoz klasik me Joseph Haydn dhe veprën madhore të Çajkovskit, Simfonia Nr.6 “Patetike”, shkruar pak ditë para se të ndahej nga jeta autori i madh rus.

Salla e Teatrit të Operas dhe Baletit është elektrizuar nga koncerti special nën interpretimin e dirigjentit shqiptar Oleg Arapi dhe solisti i Operas Kombëtare të Belgjikës “La Monnaie”, violonçel Georgi Anishenko.

I lindur në Minsk të Bjellorusisë, pasionin për violonçel, Georgi Anishenko e ka kultivuar që në fëmijëri, kur filloi studimet në moshën 5-vjeçare në Kolegjin Shtetëror të Muzikës dhe për herë të parë ka luajtur në moshën 8-vjeçare në një turne europian.

Pasi përfundoi studimet pasuniversitare me Jerôme Pernoo, Georgi ka fituar disa çmime në konkurse ndërkombëtare, siç është ai në Konkursin Ndërkombëtar për Muzikantë të Rinj në Moskë në 1996, një vit më vonë fitoi çmimin për virtuozitet në Konkursin Ndërkombëtar për Junior Tchaikovsky në Shën Petersburg, çmimin e dytë në konkursin ndërkombëtar të violonçelit André Navarra në Francë, çmimi i 2-të në konkursin ndërkombëtar të violonçelit Lutoslaëski në Poloni, çmimi i 4-të në konkursin ndërkombëtar të violonçelit Isang Yun në Korenë e Jugut, çmimi i parë në konkursin ndërkombëtar për harqe “Unisa” në Afrikën e Jugut dhe çmimi i dytë në konkursin ndërkombëtar të violonçelit Carlos Prieto në Meksikë.

/rtsh.al/