Orkestra e RTSH koncert në Tiranë, dhuron emocione me vepra nga autorë të huaj

  • e martë, 8 nëntor 2022
Orkestra e RTSH koncert në Tiranë, dhuron emocione me vepra nga autorë të huaj

Një stinë koncertore e mbushur me koncerte të cilat vijnë për publikun artdashës nga OSRTSH.

Pas një udhëtimi muzikor në qytetin bregdetar të Vlorës, Orkestra Simfonike e RTSH-së, u rikthye tek publiku kryeqytetas për një tjetër koncert emocionues, ku u luajtën vepra nga autorë të huaj si: Antonin Dvorzhak, Wolfgang Amadeus Mozart dhe Johannes Brahms.

Dirigjenti Charles Olivieri Munroe drejtoi Orkestrën dhe për të, kjo herë e parë me këta artistë virtuoze i dha shumë entuziazëm. Ai ka drejtuar disa nga orkestrat kryesore dhe teatrot, operave në të gjithë botën, duke përfshirë Filarmoninë e Izraelit, Orkestrën Simfonike të Montrealit, Orkestrën Simfonike të Torontos.

Koncerti u hap me veprën e autorit cek, Dvorzhak, e pikërisht me uverturën “Në mbretërinë e natyrës”.

Më pas, një nga koncertet më domethënës të krijimtarisë pianistike të Mozart, koncerti për piano dhe orkestër nr 23 u interpretua nga pianisti, Peter Laul. I lindur në Leningrad ai u diplomua në vitin 2000 në Konservatorin Shtetëror “Rimsky-Korsakov” të Shen Petersburgut. Në karrierën e tij ka fituar shume çmime ndërkombëtare dhe bashkëpunon rregullisht me Orkestrën Filarmonike të Shën Petersburgut, Orkestrën Mariinsky, Orkestrën Simfonike të Moskës dhe shumë orkestra të mirënjohura europiane.

Simfonia nr 4 e Brams përmbylli këtë koncert duke shënuar një tjetër sukses të Orkestrës Simfonike të RTSH dhe artistëve të saj.