Koncerti/ Tingujt e Mendelssohn nga Pierre Fouchenneret dhe Theo Fouchenneret emocionojnë publikun shqiptar

  • e martë, 7 shkurt 2023
Koncerti/ Tingujt e Mendelssohn nga Pierre Fouchenneret dhe Theo Fouchenneret emocionojnë publikun shqiptar

Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar ka zhvilluar mbrëmjen e së hënës (6 shkurt) koncertin e radhës, nën interpretimin e dy artistëve të mirënjohur francezë,  Pierre Fouchenneret dhe Theo Fouchenneret dhe nën drejtimin e Drejtuesit artistik të Orkestrës Simfonike të RTSH, Aurélien Azan Zielinski.

Koncerti për Violinë, Piano dhe Orkestër harqesh dhe Franz Schubert- Simfonia n.8 D.759 " e Pambaruar" e Felix Mendelssohn, nën interpretimin e dy artistëve francëzë dhe nën dirigjimin e Zielinskit, elektrizoi sallën e Qendrës Kulturore të Katedrales Ortodokse në Tiranë, duke dhuruar emocione të rralla për publikun, por jo vetëm. Kjo pasi, në përfundim të  koncertit, dy artistët u surprizuan me nga një buqetë me lule.

Felix Mendelssohn – Koncert për violinë, piano dhe orkestër harqesh

  1. Alllegro
  2. Adagio
  3. Allegro molto

Koncerti për violinë, piano dhe orkestër harqesh përfaqëson përpjekjen e tretë të Mendelssohn në formën koncertore. Ai e përfundoi në 6 maj 1823 (në moshën 14 vjeç!)  Premiera u dha në datë 25 maj të vitit vijues, në një koncert të “Sonntagsmusiken” nga Eduard Rietz në violinë. Dy vjet më vonë Okteti op.20 do t'i dedikohet po atij si dhuratë për ditëlindje dhe kompozitori vetë në piano.

Allegro hyrëse në formë sonate (dy tema kontrastuese) shfaqet në tre pjesë me gjatësi absolutisht të barabarta. Me një introduksion të gjatë, një hyrje "efekti" për solistët, një temë e parë më e përshtatshme për një fugë sesa në një ekspozicion formë sonate. Një temë e dytë, e cila lind si një trup i huaj pas një ndalese, balancuar në pasazhe me shkallë dhe arpezhe që çojnë në mënyrë organike në një “koda”.  Zhvillimi vijon me fraza pasionante nga violina, duke cituar gjuhën e Opera-s. Këtu përfshihet orkestra, në një lloj gjuetie të furishme me fragmente temash. Riekspozimi është mekanik – Mendelssohn nuk ka menduar ende si Beethoven për çështjen e përsëritjes së “gënjeshtërt” të formës së sonatës, sipas Formulës Beethoveniane që do të ketë Mahler më vonë.  

image00001 image00001-2 image00002 image00002-2 image00003 image00003 image00004 image00005 image00006 image00007 image00008 image00009 image00010 image00011 image00012 image00013 image00014 image00015 image00016 image00017 image00018 image00019 image00020 image00021 image00022 image00023 image00024 image00025 image00026 image00027 image00028 image00029 image00030 image00031 image00032 image00033 image00034 image00035 image00036 image00037 image00038 image00039

Tema e Adagio-s qendrore mund të jetë nga Beethoven - reduktimi në thelb i një formule intense, një temë që solistët diskutojnë mes tyre, ndërsa orkestra ndërhyn vetëm në fund. Rondo finale Allegro bën një hap drejt pianizmit bashkëkohor, por me një pasion, një vrull që nuk është kurrë i zbrazët. 

Franz Schubert – Simfonia n. 8 D.759 “E Pambaruar”.                             

  1. Allegro moderato
  2. Andante con moto

Schubert punon për Simfoninë nr. 8, "E Pambaruar” në vitin 1822, më pas e la atë për t'iu përkushtuar ‘’Wanderer Fantasie’’.  Kur në prill 1823, anëtarët e Shoqatës së Muzikës në Graz i japin një diplomë nderi, Schubert i ofron në shenjë mirënjohjeje rezultatin e paplotë të simfonisë së tij. 

Historia e mëtejshme e fatit të Simfonisë është e paqartë. Në vjeshtën e vitit 1823 në vend që të mbërrinte te Shoqëria e Muzikës së cilës i ishte dhuruar, dorëshkrimi do të kalonte në duart e Josef Hüttenbrenner, mik i Schubert. Vëllai i tij Anselm e rishfaq dorëshkrimin në 1860, 32 vjet pas vdekjes së Schubert.

Johann Herbeck drejton  premierën e Simfonisë së  Tetë në 17 dhjetor 1865 në një koncert në sallën Hofburg në Vjenë. Titulli "E Pambaruar" është vendosur vite më vonë, në 1890 dhe që atëherë ajo ka ngelur në kujtesën e njerëzve me këtë titull, si një prej veprave më të njohura e të dashura të repertorit.

Théo Fouchenneret hyri në Konservatorin e Nice, vendlindja e tij, kur ishte vetëm 5 vjeç, në klasën e  Claire Gastaud. Ai vazhdoi Studimet në Konservatorin Kombëtar Superior të Muzikës në Paris me Hortense Cartier-Bresson, e më pas me Alain Planès. Pianisti i ri vazhdoi të përmirësohej me Yann Ollivo dhe Jean-Frédéric Neuburger në klasën e shoqërimit të pianos. 

 Theo ka interpretuar në shumë salla brenda dhe jashtë Francës (Vuitton Foundation, Unesco, Opéra de Nice, Dijon, Tokio, Liban, Itali, Kinë, etj.) Théo Fouchenneret fitoi Çmimin e Parë në Konkursin Ndërkombëtar Fauré në 2013 dhe themeloi Ansamblin Messiaen, i përbërë nga Raphaël Severe (klarinetë), David Petrlik (violinë) dhe Volodia van Keulen (violonçel). Ky kuartet ishte rezident në Fondacionin Singer-Polignac dhe në vitin 2018 fitoi çmimin e parë në Konkursin Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës në Lyon. Viti 2018 rezultoi I frytshëm: ansambli publikoi një CD për Mirare (vepra nga Olivier Messiaen dhe Thomas Adès), ndërsa Theo në nëntor 2018 fitoi çmimin e parë  në Konkursin Ndërkombëtar të Pianos në Gjenevë. I ftuar në shumë festivale (Deauville, La Roque d’Anthéron, Musiques à la Prée, Folle Journée de Nantes, etj.), ai rrethohet me muzikantë të cilësisë së lartë, duke përfshirë Svetlin Roussev, Nicolas Bône, Roland Pidoux, Christophe Morin… 

Loja në piano e Théo Fouchenneret i ofron dëgjuesit një shumëllojshmëri të mahnitshme timbresh për një ekspresivitet të madh, një emocion shpesh prekës, të mbështetur nga një teknikë e shkëlqyer dhe solide. Ai thotë se është frymëzuar nga tre mjeshtra: Wilhelm Kempff, György Sebök dhe Menahem Pressler. 

Pierre Fouchenneret, artist shumedimensional, me një diskografi me më shumë se njëzet regjistrime, ai i kushton disa vite të jetës së tij veprës së një kompozitori, rrethon veten me muzikantë mjaft të veçantë për të gdhendur një integrale të autorëve. Në vitin 2016, ai regjistroi të gjithë veprën për violinë të Beethoven me Romain Descharmes. Në vitin 2018, regjistron integralen e muzikës së dhomës të Gabriel Fauré me Simon Zaoui dhe Raphaël Merlin. Ai gjithashtu fillon idenë, së pari në koncerte e më pas e realizon në CD në projektin për të luajtur të gjithë muzikën e dhomës së Brahms. Integralja e Brahms shfaqet në 2021. Në pranverën e vitit 2020 u shfaq regjistrimi i tij i Okteteve të Schubert dhe Raphaël Merlin së bashku me Nicolas Baldeyrou, David Guerrier apo Marc Desmons.

I konsideruar fëmijë gjeni, Pierre Fouchenneret fiton në moshen 16 – vjecare çmimin e tij të parë për violinë dhe muzikë dhome në Konservatorin Superior në Paris në klasat e Olivier Charlier dhe Daria Hovora dhe më pas fitoi Cmimin e Madh të Konkursit Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës në Bordeaux, Cmimin e madh Georges Enesco dhe bëhet fitues i Fondacionit Natixis dhe Fondacionit Polignac Singer.

I ftuar në skena nga e gjithë bota, "Harku i jashtëzakonshëm" (Le Figaro) Pierre Fouchenneret ka luajtur që herët me muzikantë të rrallë si kuarteti Fine Arts, Jean-François Heisser, Jean-Frédéric Neuburger, Zong Xu,  Nicolas Angelich… dhe themelon në vitin 2013 Kuartetin Strada me Sarah Nemtanu, Lise Berthaud dhe François Salque.

Artisti i plotë Pierre Fouchenneret njihet nga orkestrat franceze dhe ndërkombëtare për guximin dhe vizionin e tij për repertorin. Ai është i ftuar veçanërisht nga Orchestre de La Suisse Romande, Orkestra Simfonike e  Suzhou ( Kinë), Orkestra Kombëtare e Bordeaux, Filharmonia e Brno, Filharmonia e Nice dhe Strasburg, Orkestra Balltike e  Shën  Petersburg ose Orkestra e Dhomës Suedeze me të cilën niset në turne në Skandinavi, pas këtij koncerti me Orkestren Simfonike të RTSH.

Dirigjenti francez Aurélien Azan Zielinski prej muajit shtator 2022 është Drejtori Artistik i Orkestrës së Radiotelevizionit Shqiptar. Aurélien Azan Zielinski ka filluar një karrierë të shkëlqyer  që nga viti 2012 kur fitoi konkursin Adami “Talents Conductors”. Që atëherë talenti i tij e bën të drejtojë Orchestre National d’Ile-de-France, Orchestre National de France, Orchestre de Chambre de Paris, Orchestre National de Lorraine, Orchestre National de Bordeaux, Orchestre des Pays de Savoie, Orchestre de Cannes , Orchestre de Normandie, Orchestre symphonique de Nancy, Orchestre de Chambre de Lausanne për projekte simfonike, lirike, koreografike dhe edukative.

Aurélien Azan Zielinski ka studiuar piano, violinë, harmoni, analizë, orkestrim dhe dirigjim orkestral dhe u diplomua në Konservatorin Superior të Parisit. Për dirigjim studioi repertorin e madh me Janos Fürst dhe Jorma Panula dhe u perfeksionua për repertorin bashkëkohor me Zolt Nagy, David Robertson dhe Pascal Rophé.

Që nga viti 2015, ai është dirigjent i asociuar në Orkestrën Sinfonike Kombëtare të Bretagnës në Francë dhe që nga viti 2009 është profesor i dirigjimit orkestral në Haute-Ecole de Musique në Lozanë, Zvicër. Në vitin 2019, ai bëri debutimin e tij me Orkestrën e Dhomës së Luksemburgut. Gjatë sezoneve të ardhshme, ne do ta gjejmë atë në Opera de Metz dhe  do të dirigjojë “Tri Përrallat” nga Gérard Pesson në Operat e Rennes, Angers , Nantes dhe Rouen. Aurélien Azan Zielinski është riemëruar si dirigjent i asociuar i Orchestre National de Bretagne për sezonin 2021/2022.

I përkushtuar me pasion ndaj profesionit të tij, Aurélien Azan Zielinski i qaset çdo eksperience të re muzikore përballë orkestrës, si një pasurim të formimit të tij artistik.  Ai shpreh cilësitë e tij në fusha të ndryshme muzikore, shpesh herë origjinale, duke kultivuar prirjen për repertorin e madh. Opera ka zënë gjithashtu një vend të spikatur në repertorin e Aurélien Azan Zielinski që nga debutimi i tij, si asistent i Emmanuel Krivine në Opéra de Lyon për Faust të Gounod. Lidhjet mes dramaturgjisë, rrugëtimit psikologjik të personazheve, pëlhurës orkestrale dhe linjave melodike të këngëtarëve e magjepsën menjëherë. Veçanërisht janë dalluar prodhimet e tij në Opéra de Metz me ”Ditarin e Anne Frank” nga Grigori Frid ,dhe në Lozanë me “The Turn of the Screw” nga Benjamin Britten.

Në balet, ai drejtoi Baletin Kombëtar të Lorraine për “Relâche” nga Petter Jacobson, “Trup Baleti” të Noé Soulier, Symfonia Fantastike e Berlioz (koreografi Itamar Serusi) dhe “Hoketus” të Andriessen (koreografi nga Alban Richard).

Aurélien Azan Zielinski është gjithashtu një dirigjent që mbron kompozitorët e sotëm, duke përfshirë Gilbert Amy, Jérôme Combier, Gérard Pesson, Julien Dassié, Hector Parra ose Baptiste Trotignon, koncertin për piano “ Different Spaces” të të cilit ai e krijoi me pianistin Nicholas Angelich.

Në koncert ai ka dirigjuar solistë si Michael Barenboim, Nicolas Dautricourt, Brigitte Engerer, Miguel-Angel Estrella, Philippe Jaroussky, Philippe Muller, Sarah Nemtanu, Xavier Phillips apo Gérard Poulet.   

/rtsh.al/