Orkestra Simfonike e Radio-Televizionit Shqiptar në datë 13 qershor në orën 19:00 në Qendrën Kulturore të Katedrales Ortodokse do të sjellë për herë të tretë në Tiranë dhe për herë të dytë në drejtim të Orkestrës së RTSH, dirigjentin nga Tel Avivi, të Operas së Izraelit, të Filarmonisë së Izraelit me një karrierë të shkëlqyer ndërkombëtare, Doron Salomon. Për të interpretuar Koncertin për violin dhe Orkestër Nr. 2 Opus 63 në sol minor të Sergei Prokofiev dhe Simfoninë numër 5, Opus 64 në Mi Minor të Piotr Ilic Çajkovskit, me pjesëmarrjen e violinistes franko-rumune, Deborah Nemtanu.
“Nivel shumë i mirë i Orkestrës, edhe Çajkovski është shumë i njohur, Prokofiev më pak i njohur dhe shumë i vështirë, por ne po e realizojmë këtë koncert me sukses dhe shumë shpejt”, u shpreh Salomon.
Sa i përket përzgjedhjes së veprave, Salomon u shpreh se Çajkoski dhe Prokofievi kanë të njëjtën vlerë muzikore si autorë dhe veprat e tyre kanë një frymëzim më perëndimor se bashkëkohësit teksa mishërojnë elemente ndërkombëtare të gërshetuara me meloditë popullore kombëtare.
“Për fat të keq, situata politike është e tmerrshme. I zgjodhi Orkestra Çajkovskin, Prokofievin. Por dua të sjell shembullin e Bramsit, as ai s‘ka të bëjë me Hitlerin. Është e njëjta gjë. Muzikantët janë artistë e politika nuk duhet të ndërhyjë tek ata. Besoj se Çajkoski, Prokofievi kanë të njëjtën vlere muzikore si autorë edhe për Ukrainën dhe ukrainasit dhe ata s’kanë të bëjnë me situatën politike në Rusi. Vepra e tyre ka karakter të theksuar rus, harmoni të pasur dhe melodi energjike, por veprat e tyre kanë një frymëzim më perëndimor se bashkëkohësit e tij, ato mishërojnë elemente ndërkombëtare të gërshetuara me meloditë popullore kombëtare”, u shpreh Salomon.
Dirigjenti shprehu vlerësimet për qytetin, dhe mbi të gjitha për orkestrantët, të cilët sipas tij, janë të disiplinuar në punë.
“E dua shume Tiranën se është liberale, interesante, ekzotike, njerëzit janë të hapur me humor. Ka disiplinë në punë, por jo shumë, jo disiplinë shtrënguese. Është mesdhetare si Tel Avivi dhe kjo më pëlqen. Edhe orkestrantët flasin të gjithë anglisht’, tha ai.
Gazetare: Magdalena Alla
/rtsh.al/