60-vjetori i krijimit, Orkestra Simfonike e RTSH-së feston me një koncert në TKOB!

  • e martë, 27 shtator 2022
60-vjetori i krijimit, Orkestra Simfonike e RTSH-së feston me një koncert në TKOB!

Historia e saj nisi 60 vjet më parë, më 16 maj të vitit 1962, në një kohë kur ishte dhe formacioni më i madh orkestral i kohës. Orkestrantët ishin të rinj, por të studiuar në vend dhe jashtë....Pragë, Moskë, Lajpcig...kështu i lanë stafetën brezat e instrumentistëve njëri-tjetrit për të mbërritur në koncertin e 26 shtatorit të 2022.

Një emocion që lehtshëm prekte çdo instrumentist me eksperiencë apo dhe ata me të rinjtë, pasi do të shënonte një datë dhe një moment të bukur në jetën e çdo artisti.

Pas një stine koncertore shumë të suksesshëm 2021-2022, me solistë e dirigjentë me arritje ndërkombëtare, Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar mbrëmjen e djeshme përcolli tek publiku i shumtë në sallë një koncert me një program të pasur ku spikasnin veprat e autorëve shqiptarë dhe atyre të huaj.

Uvertura nga opera Don Paskuale e Donixetit, drejtuar nga Oleg Arapi do të ishte prologu i këtij koncerti, për të vijuar me një premierë në Shqipëri, poemën lirike simfonike të Endri Sinës.

Dy instrumentistët virtuozë Kostandin Tashko në piano dhe Remi Joussemet në trombë interpretuan koncertin për piano, trombë dhe orkestër harqesh, drejtuar nga mjeshtri Eno Koço, kontributi i të cilit në këtë orkestër ka shënjuar vite e vite pune voluminoze.

Në pjesën e dytë të koncertit, mikpritësja e kësaj mbrëmjeje Ema Andrea do të prezantonte përpara publikut edhe drejtorin e ri të kësaj orkestre, Z. Aurelien Azan Zielinski. Kjo përzgjedhje do të hapë sfida të reja artistike për OSRTSH, e cila është cilësuar si një nga orkestrat më të mira simfonike në rajon e më gjerë.

Ferdinand Deda, kjo figurë aq e dashur për artistët por që ka bërë për vete të gjithë publikun anembanë Shqipërisë, do të përjetësohej me një nga veprat e tij me aq shumë temperament siç ai ishte në jetë dhe në art, me Vallen Simfonike nr. 2.

Dhe pas temperamentit të Dedës…tingujt nostalgjik të filmit “Në fillim të verës”, një perlë e muzikës së filmit shqiptar nga Kujtim Laro do të interpretohej më shumë ndjenjë nga pianistja, Ardita Bufaj.

Jaret e bukura shkodrane dhe krijimtaria e të madhit Tonin Harapi erdhën me mjeshtëri të interpretuar nga loja e zhdërvjellët e pianistes, Merita Rexha Tershana, në Rapsodinë për piano e orkestër.

Në fund të koncertit, orkestra nën drejtimin e Aurelien Azan Zielinski e ftoi publikun të përjetonte atmosferën e ngjarjeve në Seviljen e viteve 1820 në veprën e Georges Bizet me suitën nr. 1 dhe nr.2 nga opera Carmen.

Një BRAVO e madhe nga i gjithë publiku mbylli këtë koncert historik, i cili do t’i lërë vend dhe shumë koncerteve të tjera premtuese por pa harruar edhe ngjarje të tjera artistike ku OSRTSH i jep akoma më shumë vlerë me virtuozitetin e mjeshtrave të saj, të cilët do të vazhdojnë të bëjnë histori me nota muzikore.