Mes emocionesh dhe duartrokitjesh të forta nga publiku, Orkestra Simfonike e RTSH elektrizoi sallën e Katedrales Ortodokse me koncertin madhështor mbajtur mbrëmjen e së martës (22 nëntor). Në pjesën e parë, publiku shijoi performancën dhe spektaklin e dhuruar nga fagoti i madh italian Giorgio Mandolesi, fagot kryesor i orkestrës së Parisit i cili luajti koncertin e kompozitorit italian të njohur për operat e tij, Rossini.
Salla e Katedrales Ortodokse në pjesën e dytë të koncertit, u përfshi nga energjia, vitaliteti dhe ndjeshmëria që përcolli simfonia e 4-të madhështore e Beethovenit, gëzimi dhe humori i së cilës ngriti në këmbë publikun.
Ndërsa në pjesën e tretë të Koncertit, Drejtori Artistik i Orkestrës së RTSH, Aurelien Azan Zielinski ofroi për publikun suitën për tela nga opera Mrika e Simoni, muzika madhështore e së cilës sipas Zielinskit është frymëzuar nga faqet e shkëlqyera të muzikës operistike italiane si Puccini.
/rtsh.al/