Mozart, Strauss dhe Haydn/ Orkestra Simfonike e RTSH, koncert madhështor, të ftuarit specialë Deniola Kuraja dhe Olivier Doise dhurojnë emocione

  • e hënë, 13 shkurt 2023
Mozart, Strauss dhe Haydn/ Orkestra Simfonike e RTSH, koncert madhështor, të ftuarit specialë Deniola Kuraja dhe Olivier Doise dhurojnë emocione

Uverturë nga opera Don Giovanni e Moxart, koncert për oboe dhe orkestër nga Shtraus, vepër që luhet për herë të parë kjo në Shqipëri, sinfonia numër 88 në sol maxhor e Hajden qenë repertori i koncertit të mbrëmshëm të klasikëve të mëdhenj të muzikës botërore, të cilët nuk i gjen drejtpërdrejtë çdo mbrëmje në Tiranë, por së paku i gjen dy herë në muaj falë Orkestrës së RTSH, e mbi 20 koncerte në çdo sezon artistik vjetor.

E këtë herë në sallën e Katedrales Ortodokse, Orkestra pas 12 vitesh u vu për herë të dytë nën dirigjimin e dirigjentes së njohur shqiptare, njëkohësisht edhe pianiste, Deniola Kuraja, që mban në karrierën e saj disa çmime kombëtare si Çmimi i parë në konkursin e pianos, “Pianisti i Ri”, apo dy çmime të treta në konkurset kombëtare Tonin Harapi dhe Cesk Zadeja, që e kemi parë edhe në shfaqjet e TKOB. Por që ka shkuar edhe përtej Shqipërisë, si docente në Shkollën e Lartë të Muzikës së Hanoverit, pianiste dhe dirigjente në Teatrin e Operës së Hanovertit dhe Kaselit në Gjermani.

Dhe i ftuar instrumentisti i oboes, nga Opera e Parisit, Olivier Doise. Edhe ky një artist ndërkombëtar me cçmime të para në Konservatorin Superior të Parisit,  instrumentist në Orkestrën Kombëtare të Bordo-së, në Orkestrën Filarmonike të Mynihut, profesor në Konservatorin e Bulonjës, e me një sërë koncertesh në Paris, Londër, Amsterdam, Moskë, Seul, Karakas etj..

Wolfgang Amadeus Mozart – Uverturë nga Opera “Don Giovanni”

Pas guximit të tij dhe kërkimit të tij të shfrenuar për gratë, është Zoti, njerëzit  dhe rregulli i botës që Don Giovanni tall dhe sfidon. Për  këtë rënia e tij do të jetë e pashmangshme dhe dënimi i tij i tmerrshëm. Opera e Mozart– një “dramma giocoso” siç shkruan ai (dramë gëzimi) – i thotë të gjitha këto me një forcë të papërmbajtshme. Libreti i realizuar  me mjeshtëri nga Lorenzo da Pontes mbështetet te  miti i Tirso de Molina, të cilin Molieri e bëri gjithashtu Don Juan-in e tij; por muzika e Mozartit, që në fillim, e zbukuron të tërën me një dimension metafizik që shkon shumë përtej fabulës.. Don Giovanni është përmbledhja  e gjeniut të Mozartit, një lloj absolut i zhanrit, ku bashkohen maja dhe fundi i natyrës njerëzore, ku flirtojnë tragjikja dhe grotesku, sublimja dhe tallësja, impulset shpirtërore të larta dhe kënaqësitë e vesit. Të gjitha të derdhura në muzikën më hyjnore të shkruar ndonjëherë. Për këtë  Richard Wagner thotë se Don Giovanni është "opera e operave". Uvertura e cila shpesh luhet më vete është përmbledhja e gjithë temave të veprës.

Richard Strauss- Koncert për oboe dhe orkestër

Vepra e jashtëzakonshme e Richard Strauss shtrihet ne një periudhë kohore të konsiderueshme , nga suksesi i “Aus Italien” shkruar në 1886 kur kompozitori ishte 22 vjeç, dhe deri te “ Katër këngët e fundit” shkruar ne 1948 në moshën 84 vjeçare. Duke parë ndryshimet në këtë periudhe historike mund të mendojmë se autori jetoi disa herë brenda jetës së tij. Suksesi që arriti Richard Strauss gjatë jetës ishte I pakrahasueshëm me kompozitorë paraardhës, kjo falë muzikës së tij post-romantike, larg avangardës së kohës (Bartók,Schoenberg..) , por edhe hyrjes në shtëpitë e njerëzve të radios, që lejonte të dëgjojë muzikë nga koncerti më në fund pa qenë fizikisht në koncert. Suksesi I Heldenleben, Till Eulenspiegel , Rosenkavalier, si dhe postet në Operan e Mynihut e Filarmoninë e Vienës si dirigjent dhe drejtor e bënë atë autorin më të interpretuar të epokës.

Mosha dhe ndryshimet historike me ardhjen ne fuqi të nazizmit e bënë autorin e vjetër tashmë të tërhiqej në një jetë të qetë larg kaosit të epokës ku jetonte. Tashmë jo në gjendje shëndetësore për të shkuar në ekzil në USA si shumë bashkëkohës së epokës të përndjekur ( Hindemith, Schoenberg, Korngold etj.), ai tërhiqet në shtëpinë e tij në alpe për të jetuar në paqe dhe distancë me njerëzit në një epokë që nuk donte as ta jetonte as ta shprehte në muzikë. Është në vitin 1945, ne moshën 81 vjeçare me kërkesë të një ushtari amerikan që ishte dhe oboist që ai mendon të shkruajë një koncert për oboe dhe orkestër, në formën e një dialogu të vazhdueshëm midis solistit dhe solistëve në orkestër. Muzika është e frymëzuar dhe e freskët, pa shprehur trauma dhe dramaticitet, por si një kremtim i homogjenitetit midis harmonive të instrumenteve dhe një forme lehtësie shpresëdhënëse.

Koncerti për oboe dhe orkestër është vepra më e interpretuar dhe më virtuoze për instrumentin e oboes në repertorin koncertant.

Joseph Haydn- Simfonia n.88 në Sol Maxhor

Simfonitë 88 deri në 92 të Haydn janë të periudhës së rikthimit të tij në Pallatin Esterhazy, pas qëndrimit dhe shkrimit të Simfonive “ Parisiane”. Më të spikaturat e kësaj periudhe janë Simfonia 88 dhe Simfonia 92. Pas periudhës së lëvizjeve të rrymës “Sturm und Drang”, që anonconte romantizmin dhe të cilës Haydn i dedikoi një pjesë të Simfonive, në këtë periudhë , këtu autori është 45 vjeç dhe i rikthehet formës dhe tematikës klasike.

Nga Simfonia n.88 kemi dëshirë gjithmonë  të nxjerrim në pah kohën e ngadaltë sublime, dhe finalen e jashtëzakonshme,  me një shkencë dhe humor të mrekullueshëm. Por ka edhe më shumë, sepse kjo simfoni ofron një lloj përmbledhje të artit të kompozitorit. Brahms shkruan se është Simfonia e tij e preferuar vite më vonë: "Është vepra më e përqendruar  që ka dalë ndonjëherë nga pena e një simfonisti: cilësia vjen për arsye  të monotematikës së rreptë të secilës prej kohëve,, dhe nga  një liri formale që  lejon të thuhen një maksimum gjërash në një kohë minimale. 

/rtsh.al/