Koncerti i Kameratës më 20 korrik nga Orkestra Simfonike e RTSH, Gëzim Bulçari i ftuar special

  • e premte, 15 korrik 2022
Koncerti i Kameratës më 20 korrik nga Orkestra Simfonike e RTSH, Gëzim Bulçari i ftuar special

Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar do të mbajë më 20 korrik koncertin e Kameratës me të ftuar special në violinë Gëzim Bulçarin.

Ky i fundit u emërua Maestër i Teatrit të Operas dhe Baletit që në vitin 2010 dhe pjesë e kuartetit të RTSH që nga viti 2017 me angazhime muzikore brenda dhe jashtë vendit.

Koncerti do të mbahet në orën 20:30 në hollin “Gjon Simoni” të Radio Televizionit Shqiptar. 

Në program do të jetë Tango Ballet, Fuga Misterioze dhe Katër Stinët e Buenos Aires nga Astor Piazzolla dhe po ashtu Katër Stinët e Vitit nga kompozitori italian i muzikës baroke Antonio Vivaldi.

Tango Ballet i dedikohet mikut të tij Rikardo Galiano, një akordionist i mirënjohur francez me origjinë italiane. Tango Ballet shpalos cilësi artistike më të mëdha të strukturës harmonike, melodike e timbrike në ansamblin tradicional të tangos, duke shkuar kështu drejt një dimensioni të ri të tangos vallëzuese.

 “Katër Stinët e Buenos Airesit”, është një set prej katër tangosh nostalgjike në të cilat takohen dhe përzihen Amerika Latine dhe Europa. 

Ndërsa Katër Stinët e Vitit nga Vivaldi, është vepra më e njohur e tij e cila përbëhet nga katër koncerte për violinë ku secili prej tyre përshkruan një nga stinët e vitit.