Orkestra Simfonike e RTSH çel më 15 janar sezonin koncertor, në programin special “Haydn” dhe “Çajkovski”

  • e hënë, 9 janar 2023
Orkestra Simfonike e RTSH çel më 15 janar sezonin koncertor, në programin special “Haydn” dhe “Çajkovski”

Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar çel më 15 janar sezonin koncertor të këtij viti.  Me një program special, orkestra Simfonike e RTSH do të dhurojë ditën e dielë për publikun një koncert mjaft të veçantë.

Joseph Haydn me koncertin për violonçel dhe orkestër N.2 në RE maxhor dhe Piotr Iliç Çajkovski  me simfoninë n.6 opera 74 “Patetike”, do të ndezin sallën e Teatrit të Operas dhe Baletit.

Në koncertin special, do të interpretojnë dirigjenti shqiptar Oleg Arapi dhe solisti në violonçel Georgi Anishenko, solist i Operas Kombëtare të Belgjikës “La Monnaie’.

I lindur në Minsk të Bjellorusisë, pasionin për violonçel, Georgi Anishenko e ka kultivuar që në fëmijëri, kur filloi studimet në moshën 5-vjeçare në Kolegjin Shtetëror të Muzikës dhe për herë të parë ka luajtur në moshën 8-vjeçare në një turne europian.

Pasi përfundoi studimet pasuniversitare me Jerôme Pernoo, Georgi ka fituar disa çmime në konkurse ndërkombëtare, siç është ai në Konkursin Ndërkombëtar për Muzikantë të Rinj në Moskë në 1996, një vit më vonë fitoi çmimin për virtuozitet në Konkursin Ndërkombëtar për Junior Tchaikovsky në Shën Petersburg, çmimin e dytë në konkursin ndërkombëtar të violonçelit André Navarra në Francë, çmimi i 2-të në konkursin ndërkombëtar të violonçelit Lutoslaëski në Poloni, çmimi i 4-të në konkursin ndërkombëtar të violonçelit Isang Yun në Korenë e Jugut, çmimi i parë në konkursin ndërkombëtar për harqe “Unisa” në Afrikën e Jugut dhe çmimi i dytë në konkursin ndërkombëtar të violonçelit Carlos Prieto në Meksikë.

/rtsh.al/

Evente të tjera