60-vjetori i krijimit të Orkestrës Simfonike të RTSH, më 26 shtator koncert në TKOB

  • e mërkurë, 21 shtator 2022
60-vjetori i krijimit të Orkestrës Simfonike të RTSH, më 26 shtator koncert në TKOB

Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar në 60-vjetorin e krijimit të saj, vjen me një koncert i cili shënon gjithashtu debutimin e drejtorit të ri artistik të orkestrës, dirigjentit të mirënjohur francez Aurelien Azan Zielinski.

Koncerti hapës për sezonin e ri artistik 2022-2023 do të drejtohet nga dirigjentët Aurelien Azan Zielinski, Oleg Arapi dhe Eno Koço. Kjo stinë e re koncertore premton shumë për një sezon të suksesshëm nën drejtimin e drejtorit të ri artistik, Z. Zielinski.

Salla e TKOB-së do të mirëpresë artistët virtuozë Merita Rexha Tërshana dhe Kostandin Tashko, të cilët vijnë në këtë koncert me dy vepra mjaft domethënëse për repertorin pianistik.

Në program do të interpretohen vepra të autorëve shqiptar dhe të huaj si:

Dmitri Shostakovich - Koncert për piano nr.1

Gaetano Donizetti - Uverturë nga opera Don Pasquale

Endri Sina - Dora d' Istria (premierë)

Ferdinand Deda  - Valle Simfonike nr.2

Kujtim Laro  - Në fillim të verës

Tonin Harapi -  Rapsodi për piano dhe orkestër

Georges Bizet - Suitë nga opera Carmen

Merita Rexha Tërshana është një pianiste me një karrierë të gjatë artistike si brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ajo ka nisur studimet për piano që në moshë fare të vogël. Ka luajtur si soliste me orkestrat e Radio Television Shqiptar, Teatrit të Operas e Baletit, Filarmoninë e Tiranës, orkestrën e Akademisë së Arteve, me Orkestrën Filarmonike të Kosovës, me dirigjentë të njohur shqiptar dhe të huaj.

Pianisti i mirënjohur, fitues i dhjetëra çmimeve ndërkombëtare në të gjithë botën, Kostandin Tashko ka bashkëpunuar si solist me orkestra si: I Virtuosi Italiani, Orchestra Sinfonica del Teatro Verdi Trieste, FVG Symphony Orchestra, Orkestra e Radio Televizionit Shqiptar, Orchestra Filarmonica Citta’ di Monfalcone etj., Ai është autor i dy albumeve, një nga të cilët me kompaninë diskografike Velut Luna është transmetuar në Rai Radio 3.

Koncerti i Orkestrës Simfonike të Radio Televizionit Shqiptar vjen pak pas zgjedhjes së drejtorit të ri Aurelien Azan Zielinski, një prej dirigjentëve të mirënjohur, talenti i së cilit pikasi që në moshë të hershme. Pasioni ndaj profesionit, qasja ndaj eksperiencave të reja muzikore përballë orkestrës dhe formimi artistik i pasur, spikatën figurën e Zielinskit  për t’i besuar drejtimin e Orkestrës Simfonike të RTSH një artisti të huaj.

Në këtë koncert e në të tjerët që do të vijojnë, Orkestra Simfonike e RTSH-së do të përcjellë tek publiku një ndjeshmëri të lartë artistike si dhe një interpretim virtuoz. Në 60 vite eksperiencë orkestra ka mirëpritur dirigjentë e solistë nga Shqipëria dhe bota duke i dhënë  një impuls  dhe rritje të nivelit artistik.

Festojmë se bashku me muzikë, të hënën, 26 shtator ora 19:00 në sallën e TKOB-së.

/rtsh.al/

Evente të tjera